Kuleçët janë traditë në familjen time, dhe mund të them që kam mësuar që fëmijë ti gatuaj. Megjithatë deri vonë herë i bëja mirë, herë dështoja. Kam 16 vjet që gatuaj ekskluzivisht për veten, dhe pak më pak për familjen. Kështu që mund të them se e pakta i bëj 1 herë në javë. Në fillim nuk i hidhja vezë dhe më thithnin shumë vaj, prandaj vendosa që t’u hedh vezë gjithmonë si kuleçëve, po ashtu edhe petullave. Një sekret tjetër që më ka mësuar mami, është kombinimi i sodës me uthullën e bardhë, kombinim të cilin e përdor në një kek shumë të butë dhe të shkrifët. Më vonë lexova që nga ky kombinim kimik përftohet baking powder.

Zakonisht kuleçët i bëj me miell 00, kos, vezë, kripë dhe sodë. Sot ama e ndryshova pak, dhe rezultati ishte “i pambuktë” le të themi.

Përbërësit:

  • 300 gr miell 00
  • 50 gr miell integral(opsional, me kishte ngelur dhe e përdora)
  • 50 gr miell misri (2 duar plot)
  • 4 lugë gjelle plot me kos
  • 1 kokërr vezë
  • 2 lugë çaji të prera me sodë
  • 2 lugë çaji ulluth të bardhë
  • 1 lugë gjelle e prerë kripë roz
  • Vaj për skuqje

Në një tas të madh sitim miellin me sodën. Nëse mielli sitet, edhe pitet dalin më të shkrifëta. Hedhim gjithë përbërësit e tjerë dhe i trazojmë sa të krijojmë një brumë mesatar. Nëse do të duhet pak më shumë miell ose kos e shtojmë. Mielli i misrit në përbërje i bën akoma më të butë. Brumi mund të ngjisi shumë pak. E lyejmë me vaj, e mbështjellim me membranë plastike dhe e lëmë në frigorifer për 1 orë. Zakonisht në shtëpinë e prindërve të mi në Vlorë ka gjithmonë brumë në frigorifer sepse mami bën një pjesë dhe pjesën tjetër e ruan. Të nesërmen brumi mund të jetë nxirrë pak, por kuleçet fryhen më shumë dhe janë akoma më të shijshëm. Të them te drejtën si mami nuk arrij dot ti bëj kurrë…

Mund ti skuqim ashtu thjeshtë ose ti mbushim me djathë të bardhë, ose dhe më sallam, salcë dhe djathë gouda. Brumin mund ta bëni edhe vetëm me miell 00. Kohët e fundit kam përdorur edhe majanë. Për 500 gr miell ju duhen 14 gr maja të thatë ose 2 zarfe të vegjël, 200 ml ujë të vakët, 1 lugë çaji sheqer dhe 2 lugë kripë. Zakonisht majaja bashkë me 50 ml ujë, kripën dhe sheqerin, duhet të qëndrojë për 10 minuta në mënyrë që te funksionojë sa më mirë. Pasi e bëjmë brumin e lëmë i orë të dyfishojë masën e tij në një vend të ngrohtë. Duke qënë se edhe puna ime ka lidhje me produktet ushqimore, kam testuar pjesën më të madhe të produkteve në treg. Kështu që përdorja një maja me paketim të madh, e cila më ka bërë të dështoj disa herë. Prandaj përdor vetëm majanë në zarfe të vogjël sidomos atë të një marke greke, dhe kam ngelur shumë e kënaqur.

Shumë shpejt do ju sjell edhe recetën për kuluria të Selanikut, një recetë shumë e suksesshme e testuar shumë herë nga unë.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit