Qoftet me perime na pëlqejnë shumë dhe i gatuaj pothuajse çdo të djelë. Zakonisht i bej me kungull dhe perime, por edhe ato me spinaq dhe domate janë shumë të shijshme. Dhe janë aq të kollajta për mua, sa që proçedura më merr shumë pak kohë.

Qoftet me domate i provova sot për herë të parë ti gatuaj, sepse gjithmonë i bëja bashkë me spinaq. Kam ngelur pa fjalë, aq të shijshme dolën. Kjo është një recetë tradicionale e ishullit te Sandorinit. Unë i kam bërë vetëm një modifikim të vogël, i kam shtuar 1 vezë në mënyrë që të mos thithnin shumë vaj.

Për rreth 15 qofte ju nevojiten:

  •  4 domate mesatare
  • 1 kokërr qepë
  • 250 gr miell
  • 10 gjethe nenexhik të freskët
  • 100 gr djathë të bardhë
  • 1 kokërr vezë
  • Kripë
  • Piper

Presim domaten në kubikë dhe e lëmë në një kullesë t’i dalin lëngjet. Grijmë qepën shumë imët dhe e bashkojmë me domaten. I shtypim pak me dorë të nxjerrin lëngjet që mund të kenë. Shtojmë djathin e thërrmuar me dorë, miellin, nenexhikun e grirë imët, vezën dhe formojmë një brumë të trashë si të petullave.

E lëmë në frigorifer për rreth 1 orë dhe i skuqim në një tigan të thellë në temperaturë mesatare.

Ju bëftë mirë!