Sufleja ështëhte një gatim shumë i shpeshtë në kuzhinën Greke. Ndërkohë që në Shqipëri njihet kryesisht sufleja me cokollatë, në shtetin fqinj sidomos dhe në mbarë botën, ajo me djathë haset shumë shpesh. Ndoshta siç mund ta keni vënë re, nuk jam nga ato persona që kur gatuaj do vendos tavën e madhe, apo tenxheren dhe të bëj sasi. Më pëlqen të gatuaj 4-5 gjëra të ndryshme, meze siç do ti quaja unë dhe të mbushemi plot me shije. Këto gatime mund t’ju nxjerrin faqebardhë kur keni të ftuar apo në tavolina në raste festash.

Para disa ditësh bleva një enë për sufle ne jumbo, masën e madhe. Megjithëse kam tava balte pyrex, preferova ta bëja suflenë tek tava e bardhë. Përbërësit për tavën që përdora unë janë si më poshtë, por do ju jap sugjerimet dhe për një tavë me diametër 20 cm.

  • 300 gr spinaq të larë dhe të grirë (700-800 gr për tavën e madhe)
  • 2 qepë të njoma (4-5 për tavën e madhe)
  • 5 feta djathë gouda (10 feta për tavën e madhe)
  • 1 copë djathë të bardhë /racion (3 copa për tavën e madhe)
  • 1 copë djathë gorgonzola (njësoj sa djathi i bardhë)
  • 1 fetë bukë e prerë në kubikë (5 feta për tavën e madhe
  • 5 lugë panna (1 kuti e vogël për tavën e madhe)
  • 5 lugë qumësht (1 gotë qumësht për tavē e madhe)
  • 2 kokrra vezë (4 kokrra për tavën e madhe)
  • Kripë
  • 50 gr gjalpë
  • Piper
  • Arrë moskat
  • 1/2 tufë majdanoz

Përbërësit mund t’ju duken shumë, por më besoni është shumë e kollajtë ta gatuani. Mund të shtoni dhe djathra të tjerë sipas deshirës. Në gjysmën e gjalpit (ose vaj ulliri) skuqim spinaqin me qepën e njomë deri sa të iki gjithë uji. Shtojmë pak kripë, piper, arrën moskat dhe 1 tufë majdanoz.

Lyejmë me gjalpin e mbetur ose me 2 lugë vaj ulliri tavën dhe shtojmë bukën në fund.

Shtojmë gjysmën e spinaqit.

Mbi të shtojmë djathin e bardhë, gorgonzolan si dhe gjysmën e djathit gouda. Mbulojmë me spinaq dhe mbi të do shtojmë vezët me panna dhe qumësht që i kemi trazuar në një tas.

E tundim tavën që të shkojë masa kudo në tavë dhe shtojmë pjesën tjetër te djathit gouda.

E pjekim për rreth 30 minuta në 200 gradë duke bërë kujdes mos digjet djathi nga lart.

Lijeni të ftohet mirë përpara se ta konsumoni.

Ju bëftë mirë

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit