Është hera e parë që bëj brownies, sepse nuk jam shumë e dhënë pas ëmbëlsirave, por mund t’ju them me plot gojën që u zhduk me pirun brenda 5 minutave e gjitha. Imagjinoni dy persona rrotull pjatancës me 2 pirunj, kush të hante më shumë. Lamë dhe një copë të vogël për djalin.

Ëmbëlsira është shumë e thjeshtë për t’u gatuar dhe për gjysmë ore e keni gati. Gjithsesi për çdo paqartësi mund të më shkruani në llogarinë time në instagram.

Përbërësit për ëmbëlsirën më të mrekullueshme ndonjëherë janë si më poshtë:

  • 2 kokrra vezë
  • 150 gr gjalpë
  • 2 lugë gjelle kakao
  • 200 gr sheqer
  • 100 gr miell
  • 200 gr çokollatë për ëmbëlsira
  • 1/ lugë çaji baking powder
  • Pak kripë

Shkrijmë gjalpin dhe e lëmë të ftohet. Gjithashtu shkrijmë cokollatën me 4 lugë qumësht në banjo mari. Si ta bëjmë? Shumë e kollajtë. Vendosim një tenxhere me ujë te ziejë. Mbi të vendosim një tas ose pjatë qelqi të thellë. Hedhim cokollatën dhe qumështin dhe i trazojmë sa të shkrijnë komplet. Gjysmën e çokollatës do ta hedhim brenda të gjalpi, ndërsa pjesën tjetër e mbajmë të ngrohtë sepse do spërkasim nga lart kekun. Në tasin me gjalpë dhe çokollatë do shtojmë vezët, sheqerin dhe do t’i trazojmë. Do vazhdojmë të shtojmë kakaon e situr, miellin, baking powder dhe kripën dhe do i trazojmë mirë.

Në një tavë të vajosur, shtrojmë një letër kuzhine dhe hedhim brumin. Tava e e ka diametrin 20 cm. E pjekim në 180 gradë për 20 minuta. Kur ta nxjerrim nga furra do ta lëmë pak të ftohet dhe do ta spërkasim me çokollatën e shkrirë, fletë bajamesh dhe fruta të thata. Mund ta hani edhe pa fruta ose çokollatë.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit