Kjo recetë tamam emrin do ta kishte byreçka me kungull vjeshtak, por duke qënë se dolën të mrekullueshëm, i quajta “sweet bites/kafshata të ëmbla”.

Po mundohem ta shfrytëzoj sa më shumë kungullin e vjeshtës duke qënë se e kanë tani stinën, dhe përdite pothuajse kthehem në shtëpi me një kungull me ngjyra mahnitëse.

Receta që do të lexoni mëposhtë është shumë e thjeshtë dhe do ju sugjeroja ta gatuanit menjëherë.

Përbërësit për 20 byrekë janë:

  • 1 petë sfoljatë e gatshme
  • 300 gr kungull portokalli
  • 2 lugë gjelle sheqer kaf
  • 70 gr arra të grira imët
  • 1 lugë kafe kanelle
  • 1 e verdhë veze
  • Sheqer pluhur

Kungullin e pastruar nga lëkura e grijmë imët në rende dhe shtojmë arrat e thërrmuara, sheqerin kaf, kanellën dhe i trazojmë.

Petën sfoliatë e hapim pak me një okllai në mënyrë që të hollohet pak. Me anën e një gote e presim në forma të rrumbullakta. E lyejmë gjysmë e petës së rrumbullaktë me të verdhën e vezës të cilën e kemi holluar me një lugë ujë. Kjo kryhet që petët të ngjiten me njëra tjetrën dhe byreçkat të mos hapen gjatë pjekjes.

I mbyllim duke formuar gjysmë hënë dhe i pjekim në 220 gradë për 20 minuta. Pasi i nxjerrim nga furra i lëmë të ftohen dhe i spërkatim me sheqer pluhur nga lart me anën e një site të vogël.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit