Para disa ditësh në instagramin e një mikes time, pashë një krostatë shumë të thjeshtë dhe shumë të bukur. E ruajta recetën dhe sot si ditë e djelë vendosa ta gatuaj. Nuk është se i kam shumë qejf ëmbëlsirat, dhe nuk i bëj shpesh, por reçelit tim të kumbullave, nuk mund ti rezistoj.

Reçelin e kumbullave e kam përgatitur me 3.5 kg kumbulla dhe 700 gr sheqer kaf. Kumbullat i kam prerë në copa të vogla dhe i kam zjerë dy herë, herën e parë 2 orë dhe herën e dytë gjysmë ore. Ky proçes sepse kumbullat duhet të zjenin mirë pasi ishin të forta.

Përbërësit për të përgatitur krostatën si më poshtë:

  • 300 gr miell
  • 130 gr sheqer
  • 2 kokrra vezë
  • 1 lugë të vogël baking powder(pluhur pjekje)
  • 100 ml vaj misri
  • Reçel sa të dëshironi (unë përdora një shtresë të hollë)
  • 1 të verdhë veze

Rrahim vezët me sheqerin dhe vajin deri sa të shkrijë sheqeri. Në një enë tjetër sitim miellin me baking powder dhe i bashkojmë me masën e lëngshme. Formojmë brumin dhe e lëmë ne frigorifer për 1 orë.

E hapim brumin me trashësi 3-4 mm dhe e vendosim në një tavë për krostate ose tavë të rrumbullaktë. Shtojmë reçelin e kumbullave, por dhe çfarëdo reçeli të dëshironi. Me brumin e ngelur presim forma sipas deshirës dhe i vendosim lart. E lyejmë me të verdhën e vezës dhe e pjekim për 30 minuta në 180 gradë.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit