Ëmbëlsira red velvet është nga të preferuarat e mia dhe e përgatis shumë shpesh. Dje vendosa të bëj pancakes red velvet për kopshtin e enushit, me idenë se fëmijët do të tërhiqen shumë nga ngjyra e kuqe.

Si të bëjmë pancakes të shkrifët, të butë si sfungjer dhe me lagështirën e duhur? Po jua tregoj sekretin!!!

Përbërësit:

  • 1 gotë miell
  • 3/4 gotë qumësht ose dhallë(ayran)
  • 2 lugë të vogla baking powder
  • 2 lugë gjelle gjalpë
  • 1 vezë
  • 1/2 lugë kripë
  • 1 lugë sheqer
  • Bojë e kuqe ushqimore
  • 1 lugë gjelle kakao
  • Gjalpë për skuqjen

Për kremin:

  • 100 gr krem djathi
  • 100 gr sheqer pluhur
  • 1/2 gotë qumësht

Për përgatitjen e pancakes rrahim vezën me qumështin ose dhallën dhe gjalpin. Ju kam propozuar dhallën duke qënë se red velvet është një ëmbëlsirë e shkrifët që përgatitet me dhallë. Në një enë tjetër trazojmë miellin, baking powder, sheqerin, kripën, kakaon dhe bojën e kuqe. I shtojmë tek lëngjet dhe vazhdojmë rrahjen deri sa të përftojmë një masë homogjene. E lëmë.në frigorifer për 1 orë, ose mund ta lëmë gjithë natën nëse do ti skuqim ditën tjetër në mëngjes.Në një tigan të cilin e kemi lyer me gjalpë, shtojmë brumin e ujshëm me anë të një garuzhde. Kur shohim që janë krijuar bulëza lart, e kthejmë dhe e skuqim nga ana tjetër.

Për të përgatitur kremin, rrahim me rrahësen elektrike te gjithë përbërësit deri sa të tretet mirë sheqeri. Sipas dëshirës, ia shtojmë lart pancakes.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit