Tek kopshti i Enushit tim është një pemë limoni që i ka frutat shumë të bukur. Sa herë që shkoj ne kopsht, ma bëjnë me sy. Para 2 ditësh mora 4 kokrra duke patur në mendje një kek me shije limoni. Sot si ditë e shtunë vendosa ta bëj dhe kam ngelur pa fjalë nga kjo recetë e mrekullueshme.

Përbërësit:

Për kekun

  • 125 ml vaj luledielli
  • 200 gr sheqer
  • 3 kokrra vezë
  • 125 ml qumësht
  • 250 gr miell
  • 2 lugë çaji baking powder
  • Pakëz kripë
  • Lëkura e 2 limonëve e grirë

Për kremin

  • 200 ml ujë
  • 70 gr sheqer
  • 2 lugë gjelle niseshte
  • Lëngu i një limoni
  • Lëkura e një limoni

Sitim miellin bashkë me baking powder dhe i lëmë mënjanë. Në një enë rrahim sheqerin me vajin dhe shtojmë vezët një e nga një derisa të shkrijë sheqeri. Shtojmë qumështin, lëkurën e limonit dhe miellin bashkë me kripën duke i rrahur deri sa te formojmë nje brum kremoz. E hedhim ne një tavë të rrumbullaktë dhe e pjekim në 200 gradë për 25 minuta. E nxjerrim nga furra dhe e lëmë të ftohet.

Në një tenxhere shtojmë gjithë përbërësit e kremit dhe i trazojmë mirë. I vendosim në zjarr dhe i trazojmë vazhdimisht deri sa te përftojmë një masë kremoze.

E ndajmë kekun ne dy pjesë dhe shtrojmë shtresën e kremit siç është e ngrohtë.

E mbulojmë me gjysmën tjetër dhe spërkasim me sheqer pluhur.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit