Myflet janë një ëmbëlsirë tepër e lehtë per t’u konsumuar dhe për t’u përgatitur. Mund të jenë një zgjidhje ideale në festat me fëmijë apo edhe për ditëlindje e bankete të ndryshme. Mjafton të keni në shtëpi një petë sfoljat dhe të përgatisni kremin me të cilin ato mbushen, disa fruta të freskëta apo copëza çokollate për zbukurim dhe suksesi është i garantuar!

Përbërësit për 8 myfle të vogla: 

  • 1 petë sfoljat e gatshme ose e bërë në shtëpi,
  • 350gr krem diplomat (200gr krem pasticerie + 150gr krem pana e rrahur),
  • sheqer pluhur,
  • qumësht.

Për zbukurim:

  • copëza çokollate/fruta të freskëta.

Përgatitja:

  1. Përgatisim rreth 350gr krem diplomat dhe e vendosim në frigorifer deri në një moment të dytë.
  2. Parangrohim furrën në 180 C.
  3. Ndajmë petën sfoljatë në 16 drejtkëndësha të barabartë. I vendosim në një tavë të shtruar me letër furre, e shpojmë sipërfaqen e brumit me dhëmbët e një piruni, i lyejmë drejtkëndëshat me pak qumësht dhe i spërkasim me sheqer pluhur. Sipër tyre vendosim një tjetër letër furre dhe i vendosim diçka të rëndë, p:sh një tjetër tavë. Kjo do të ndihmojë që brumi gjatë pjekies të mos fryhet dhe të ruajë formëm e tij.
  4. I pjekim për 15 minuta derisa të marrin ngjyrë të artë dhe të rezultojnë krokante.
  5. 5 minutat e fundit heqim tavën dhe letrën e furrës që ndodhet në sipërfaqe duke lejuar kështu sheqerin pluhur të karamelizohet.
  6. I nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen plotësisht. Formojmë myflen duke vendosur një drejtkëndeëh brumi sfoljat në tavolinën e punës, shtojmë 2 lugë krem diplomat (ose pak më shumë) dhe e nivelojmë me pjesën e konkave të lugës.
  7. Vendosim sipër kremit një tjetër drejtkëndësh brumi duke e ngjeshur pak me dorë. I spërkasim myflet me sheqer pluhur, ose i lyejmë me pak krem në sipërfaqe dhe i zbukurojmë me copëza çokollate apo fruta të freskëta. I vendosim në frigorifer për disa orë ose gjithë natën përpara se t’i konsumojmë.

Marrë nga unëgatuaj.com