Ideja për të përgatitur këtë gjellë më lindi pardje. Duke qënë se kungullin e përdor shumë shpesh dhe ne çdo stinë në supën kremoze, mendova të përgatis diçka ndryshe…

Protagonistët kryesorë dhe më të veçantë të kësaj recete janë kungulli portokalli dhe qiqrat.

Foto wikipedia

Kungulli portokalli ose kungulli vjeshtak, perveç se është protagonisti kryesor i festës së Halloween-it, është plot me vlera ushqimore. Si tuli i tij, ashtu dhe farat, janë plot e përplot me vitamina, për këtë arsye nuk i ndaj asnjëherë nga konsumi. Po ju përmend disa nga vetitë e tij, bën mirë për zemrën, për sytë, si dhe ju mbron nga shumë infeksione. Parandalon krijimin e gurëve në veshka si dhe eshte i pasur me magnez, kalium, proteina, vitaminë A, vitaminë C. Gjithashtu përmban nivele të larta të karotenit i cili parandalon plakjen e parakohshme.

Për të përgatitur gjellën e mësipërme për 4 persona, e cila e theksoj që është shumë e lehtë, na nevojiten:

  • 1 qepë
  • 4 racione mish mundësisht me kocka
  • 1 domate
  • 2 lugë salce
  • 2 gjethe dafine
  • 2 patate
  • 1 presh
  • 500 gr kungull
  • 1/2 kanace qiqra(të gatshëm)
  • 2 lugë gjelle kos i trashë pë person
  • Turmerik
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper

Ne një tenxhere presioni, ose në multi cooker, në vaj ulliri (1 lugë për person) kaurdisni qepën e prerë ne kubikë bashkë me mishin e viçit. Pasi të jenë skuqur shtoni domaten e grirë në rende, skuqini bashkë, shtoni rreth 3 gota ujë dhe lijini te ziejne deri sa te zbutet mishi.

Më pas shtoni preshin e prerë ne copa me trashësi 1,5 – 2 cm patatet dhe liji te ziejnë për 20 minuta në presion. Shtoni kungullin e prerë në copa të mëdha, qiqrat, kripën, piperin dhe dafinën dhe lijini te ziejnë për 15 minuta akoma në presion. Kontrollojeni nëse mund të duhet to zieni akoma, dhe gjellën e keni gati.

Nëse dëshironi mund ti skuqni te gjitha perimet përpara se ti zieni, por unë e evitova në mënyrë që të kem nje vakt të shendetshëm pa kalori të tepërta.

Pasi e hodha gjellën në pjatë, nga lart i shtova dhe 2 luge kos të trashë te tipit grek dhe e aromatizova me turmerik i cili i dha një shije fantastike!

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit