Sot i kam quajtur papardelle, por mund të quhen edhe tagliatelle sepse disa janë më të holla, disa më të trasha. Është një recetë shumë e thjeshtë, pavarësisht disave mund t’ju duket shumë e vështirë përgatitja e makaronave në shtëpi. Mund t’ju siguroj që nuk ka gjë më të thjeshtë.

Për të përgatitur tagliatelle ose papardelle të freskëta në shtëpi, ju nevojiten:

  • 150 gr miell semola (mund të gjeni në marketet italiane)
  • 50 gr miell 00 për përdorim të përgjithshëm
  • 1 vezë dhe një e verdhë
  • Pak kripë

Në një tas të thellë sitni të dy llojet e miellit, shtoni vezët dhe kripën dhe formoni brumin. Mund të duhet edhe pak ujë në mënyrë që brumi të dali pak i butë. Punojeni mirë me duart, mbështilleni me një membranë plastike dhe lijeni në frigorifer të pushojë për rreth 1 orë. Pas një ore, ndajeni në 3 pjesë dhe me okllai hapni petë me trashësi 1-1,5 mm. Petën gjatë hapjes spërkateni me miell që të mos ngjitet. Përpiquni që peta të ketë përmasa 30 cm me 20 cm. Palosini dhe prijini për së gjati duke formuar shirita sipas gjerësisë që dëshironi. Lijini të thahen pak, mund të ndizni edhe ventilatorin dhe ti vendosni perpara tij, duke i varur në okllainë e hollë. Pasi janë tharë, rreth një orë më vonë ziejini per 5 minuta e shumta. Duke qënë se janë të freskëta, nuk kanë nevojë të zjehen shumë.

Makarona mund ti shoqëroni me çfarë salce të dëshironi. Kohët e fundit unë jam duke i bërë me panna, spinaq dhe mish pule sepse kështu i pëlqejnë familjes.

Përbërësit që na nevojiten janë:

  • 200 gr spinaq i grirë imët
  • 1 kuti e vogël panna (unë përdor panna të hollë sepse ka më pak kalori)
  • 1 fileto pule e prerë në shirita ose kubikë sipas dëshirës
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper i bardhë
  • Arrë moskat

Në një tigan të thellë vendosim fileton e pulës dhe e skuqim me pak vaj ulliri. Pasi të jetë skuqur, rreth 10 minuta më vonë, shtojmë spinaqin dhe i skuqim bashkë deri sa spinaqi të jetë zbutur. Shtojmë panën dhe i trazojmë mirë. Pasi janë zjerë, 5 minuta më vonë shtojmë një filxhan kafe ujë, piperin dhe arën moskat. Sapo të marrin një valë tjetër, shtojmë makaronat dhe i lëmë 2 minuta akoma. Këtë proçes e bëjmë në mënyrë që makaronat dhe salca të unifikohen. Për ti servirur, mund të shtoni djathë parmixhano ose kaçkavall nga lart.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit