Bollguri është një drithër i cili vjen nga shumë lloje të grurit, kryesisht nga gruri i fortë. Është nje ushqim integral, të cilin nëse e krahasojmë me orizin, ka shumë herë më shumë fibra dhe proteina. Është nje ushqim shumë kalorik, rreth 340 kalori për 100 gr, prandaj duhet të kihet kujdes të mos konsumohet në sasi të mëdha. Është i pasur në magnez, hekur, zink, fosfor dhe përmban të gjitha llojet e vitaminës B.

Në kuzhinë bollguri njeh një përdorim shumë të gjerë, është përbërësi kryesor i sallatës Tabbouleh dhe në Kibbah. Mënyrat e gatimit janë si qofte, sallata, supa apo për të mbushur perimet. Receta tradicionale turke e gatimit te bollgurit është me mish pule në tavë.

Recetën e sotme e kam gatuar edhe me parë, por pa bollgur. Sot mendova t’ia shtoj në mënyrë që të krijoj një vakt që të ngop.

Për të përgatitur 2 racione nga kjo sallatë e ftohtë e mrekullueshme, na nevojiten:

– 3 Patëllxhanë mesatarë

– 2 filxhanë kafe bollgur

– 6-7 pomodorini

– 2 racione djathë dhie

– vaj ulliri

– nenexhik i freskët

– kripë

– disa kokrra shegë

Pastrojmë dhe presim patëllxhanët në feta të rrumbullakta dhe i pjekim në 200 gradë për 20minuta.

Në një tenxhere të vogël hedhim bollgurin dhe ujin në raportin 1 bollgur : 2.5 ujë. E ziejmë deri sa të shterojë uji dhe e lëmë te pushojë pë 15 minuta.

Pastrojmë pomodorinit dhe i ndajmë në katërsh. Shtojmë patëllxhanët, bollgurin, djathin e bërë copa te vogla, kripë dhe vaj ulliri dhe në fund nenexhikun e freskët dhe kokrrat e shegës (të cilat unë harrova ti hidhja).

I servirim në moment ose mund ti hamë edhe ditën tjetër pse jo edhe në punë.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit