Meksika në shtëpinë tonë!

Ushqimin meksikan e kemi dashuruar që në momentin e parë që e provuam. Restoranti “Mexican” buzë detit në Selanik, në zonën ku sapo fillonte Nea Krini, tashmë nuk ndodhet më, biles mund të them që ka kaluar më shumë së një dekadë nga mbyllja e tij. Megjithatë akoma kujtoj kur shkuam me familjen e dajës tim, dhe fëmijët nuk lanë gjë pas ngacmuar. Për pak sa nuk i vunë flakën lokalit.

Pas tij vijuan restorante të tjera si Bennigans, Apple Bee’s apo Rubby’s Tuesday, por i preferuari jonë mbetet TGI Friday’s. Fajitas, chimichanga… nuk kam fjalë…

Foto është marrë nga llogaria ime në facebook dhe i përket vitit 2010.

Ndërsa këtu në Tiranë jemi stacionuar tek Serendipity dhe me sa duket po fillon dhe Enias ta pëlqejë restorantin Meksikant.

Por përveç të dalave, që janë të rralla, ushqimin meksikan e përgatis më shpesh në shtëpi. Më poshtë po ju rradhis çfarë mund të përgatisni në shtëpi:

  1. Spring rolls
  2. Chimichanga
  3. Fajitas
  4. Quesadillas
  5. Taco

Për të përgatitur spring rolls do ju duhen:

  • 10 Petë të gatshme ose mund ti përgatisni edhe vetë
  • 1 gjoks pule
  • 1 qepë
  • 1 spec të kuq
  • 1 karotë
  • 1/2 kanaçe fasule të kuqe
  • 2 lugë gjelle misër
  • 100 gr djathë çedar ose po nuk gjetët edhe djathë gouda të verdhë
  • vaj ulliri
  • vaj luledielli për skuqje
  • pak qumësht për të lyer petat
  • kripë
  • piper të kuq të ëmbël

Presim qepën, specin dhe karotën në kubikë dhe i skuqim në zjarr mesatar me 3-4 lugë vaj ulliri. Fileton e pulës e ziejmë dhe e bëjmë fije fije të holla. E shtojmë tek perimet e skuqura bashke me fasulet të cilat i kemi copëtuar me thikë. Shtojmë misrin, kripën, piperin e kuq dhe i heqim nga zjarri. I lëmë të ftohen dhe shtojmë djathin e grirë në fund.

Petat i presim 15 cm gjerësi dhe 30 cm gjatësi. Lyejmë anët me qumësht dhe vendosim mbushjen në mes. Palosim te dyja anët mbi mbushjen sipas gjatësisë dhe e rrotullojmë.

Mund t’i skuqim por edhe t’i pjekim në furrë.

Për tacos dhe quesadilla duhet të përgatisim tortillat në fillim.

Përbërësit për tortillat:

  • 150 gr miell 00
  • 150 gr miell misri
  • 1 lugë të vogël sodë
  • 1 vezë
  • Pak kripë
  • Ujë sa të formohet brumi

Përbërësit për mbushjen e Quesadilla:

  • 1 Fileto pule
  • 4 lugë gjelle misër
  • 4 lugë gjellë fasule
  • 200 gr djathë cheddar ose gouda të grirë

Hapim dy petë të rrumbullakta me trashësi 3-4 mm dhe dimatër 25 cm. I pjekim në furrë shumë pak, sa fillojnë e fryhen. Fileton e pulës e ziejmë dhe e presim në kubikë.  Shtrojmë tek njëra petë si për byrek, mishin e pulës, hedhim fasulet, misrin dhe djathin e grirë. E mbulojmë nga lart me petën tjetër dhe e pjekim ne 220 gradë deri sa të shkrijë djathi.

Tacos i bëra duke skuqur petët (më të vogla se për quesadillat) në tigan me pak vaj.

Përbërësit për mbushjen:

  • 1 fileto pule
  • 100 gr djathë të grirë
  • 1 avocado
  • Sallate jeshile
  • Domate
  • Kastravec
  • Kos grek

Fileton e pulës e presim në kubikë, e kriposim dhe e skuqim me pak vaj ulliri. Ne mikser hedhim avocadon me 1 lugë kos dhe pak kripë dhe e grijmë deri sa të bëhet pure. Mund ta bëjmë edhe me ndihmën e një piruni. Presim sallatën jeshile, domatet dhe kastravecat në kubikë. Lyejmë pitet me avocado dhe i mbushim me përbërësit më lart. Mbi to vendosim edhe pak kos grek dhe piper të kuq.

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit