Vjeshta ka vërtet ngjyra të mrekullueshme. Si e lindur në pranverë, e adhuroj atë stinë, motin, lulet, rrobat, ngjyrat….Por sivjet vjeshtën po e përjetoj thellësisht.

Ndoshta kjo sepse është vjeshta ime e parë si blogere ushqimi, dhe më duhet përditë të realizoj 3-4 receta në ditë me produkte të cilat gjenden të freskëta dhe bio në treg.

Ashtu nuk rrezistova dot kur pashë këtë arkën plot me rrepa të kuqe…

Dhe kam disa ditë që ha sallatë me rukola, rrepa dhe uthull balsamike. Shija e tyre pikante kur marinohen me uthull është perfekte. Shumë shpejt do ju sjell edhe recetën sesi ti bëni turshi. Për çmimin nuk kam çfarë të them, janë shumë të lira.

E njëjta gjë edhe me panxharin, i zjerë me uthull, vaj, kripë dhe hudhra, nuk ka më të mirë. Ndërsa vlerat e tij ushqimore njihen nga të gjithë,  ndihmon me tensionin e lartë të gjakut, aneminë, tretjen, lëkurën dhe ndihmon parandalimin e problemeve me veshkat dhe sëmundjeve të zemrës.

Çfarë na duhet për këtë sallatë sa të bukur aq edhe të shijshme?

  • Nje dorë rukola të hollë
  • 2 kokrra vezë të zjera
  • 2 kokrra panxharë të zjerë
  • 3 copa djathë të fortë dhie
  • Disa feta rrepë
  • Kripë
  • Pak miell
  • Uthull balsamike
  • Vaj ulliri
  • Susam dhe fara kumini të zi

Ziejmë panxharin dhe e presim në copa katrore të vogla, ziejmë dhe vezët dhe i presim në 4 copa.

Vështirësinë e vetme mund ta hasim vetëm më skuqjen e djathit, sepse ai gjithmonë shkrin. Ne tigan do hedhim shumë pak vaj. Djathin e presim ne copa katrore dhe e lagim me ujë. Direkt e kalojmë në miell dhe e hedhim në tigan. Kështu ai fërgohet dhe nuk shkrin, sepse ka pak vaj. Nëse do të kishte shumë vaj, do të shkrinte.

Në pjatë shtrojme rukolën, copat e panxharit, dhe spërkasim me kripë, uthull balsamike dhe vaj. Shtojmë copat e djathit, vezët dhe zbukurojmë me fetat e rrepës.

Si??? Thjesht presim vetëm nga një anë deri në qëndër të fletës dhe e rrotullojmë si kaush. Nga lart hedhim susamin dhe farat e kuminit të zi. Sallata është gati!

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit