Hikrrën nuk kam shumë që kam provuar. Kjo mund te jetë hera e tretë që e gatuaj, dhe mund të them që e dashuroj këtë ushqim kaq të shijshëm me shije fantastike.

Foto marrë nga wikipedia

Hikrra të cilën shumë e fusin në familjen e drithërave, nuk është gjë tjetër veçse një farë trekëndore, nga një bimë me lule herë të bardha, roz apo edhe të verdha. Në disa shtete quhet edhe drithëri i genjeshtërt sepse në shije ngjan shumë me grurin. Vendin e parë në botë për kultivimin e saj e mban Rusia dhe pas saj Kina. Dikur është kultivuar shumë, por më vonë u nënvlerësua. Vitet e fundit ka njohur një sukses për vetë vlerat që ajo ka. Tashmë edhe në vendin tonë mund të gjendet shumë kollaj në të gjitha marketet dhe me një çmim shumë të arsyeshëm.

Hikrra është e pasur në hekur, proteina bimore dhe minerale të shumta. Parandalon diabetin si dhe sëmundjet e zemrës. Tretet shumë lehtë nga organizmi dhe ndihmon ne problemet me kolitin.

Receta që do ju sjell sot është shumë e shijshme. Më kishin ngelur në mendje kërpudhat pleurotus që pashë në supermarketin e lagjes dhe më erdhi një ide fantastike, ti shoqëroja me hikërr.

Përbëresit për 4 persona janë si më poshtë:

  • 1/2 pako kërpudha pleurotus të prera në rripa (mund të përdorni çdo lloj kërpudhe)
  • 1 qepë e prerë në feta
  • 1 spec i kuq i prerë në feta
  • 1 gotë uji hikërr
  • 1 tufë majdanoz
  • Kripë
  • 3 lugë gjelle vaj ulliri
  • Pak piper

Në një tigan të thellë, në vaj ulliri skuqim qepën me specin dhe sapo te jenë zbutur pak, shtojmë dhe kërpudhat. I skuqim bashkë deri sa të zbuten dhe të marrin një ngjyrë artë. U shtojmë hikrrën, kripën, dhe 2 1/2 gota ujë. I mbulojmë me kapak dhe i lëmë të ziejnë pë rreth gjysëm ore. E hapim dhe shtojmë piperin dhe majdanozin dhe i trazojmë. E mbulojmë prapë me kapak dhe lëmë të ftohet. Sallata me hikërr është gati për tu servirur.

Nëse dëshironi mund ti shtoni edhe sallatë jeshile. Shija ju siguroj do të jetë fantastike!

Ju bëftë mirë!

Copyright pathos.info/Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i paautorizuar i materialit